1. korrik. 2022. | 02:14


Hulumtimi: Pjesëmarrja e serbëve në regjistrim të popullsisë ndikohet nga një sërë faktorësh të ndryshëm



OJQ AKTIV dhe anëtarët e platformës OPEN prezantuan sot, më 1 korrik, gjetjet e hulumtimit “Regjistrimi nga këndvështrimi i komunitetit serb të Kosovës” në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën e Veriut.

Me rastin e prezantimit të hulumtimit, menaxheri i projektit të OJQ-së Aktiv Igor Markoviq deklaroi se qëllimi i kësaj analize ishte të shikohen rolet e Beogradit dhe Prishtinës në mobilizimin e popullatës për të marrë pjesë në regjistrim, mundësitë e bojkotimit të procesit, si dhe pritjet dhe frika nga regjistrimi dhe rezultatet.

Panelistët në këtë tubim, Aleksandar Rapajiq nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike dhe Darko Dimitrijeviq nga Radio Gorazhdevac, analizuan se cilët faktorë mund të ndikojnë në vendimin e serbëve të Kosovës lidhur me regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

Hulumtimi “Regjistrimi nga këndvështrimi i komunitetit serb të Kosovës” tregoi se shumica dërrmuese e qytetarëve të nacionalitetit serb në Kosovë, madje 92%, nuk jan të informuar për kohën dhe mënyrën e mbajtjes së regjistrimit të ardhshëm në Kosovë.

Pothuajse gjysma e të anketuarve, 48%, kanë theksuar se do të marrin pjesë në regjistrim, 35% e serbëve ende nuk kanë marrë vendim për pjesëmarrje në regjistrim, ndërsa 17% e tyre janë përgjigjur se nuk do të marrin pjesë.

Dhe derisa shumica e serbëve të Kosovës që jetojnë në jug të lumit Ibër, 74% e tyre, dëshirojnë t'i përgjigjen regjistrimit, pothuajse gjysma e të anketuarve nga veriu i Kosovës (48%) nuk kanë marrë vendim për pjesëmarrje në këtë regjistrim.

Shumica e të anketuarve, (44,4%) janë të mendimit se ftesa e Beogradit për (mos)pjesëmarrje në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë nuk do të jetë faktor vendimtar.

“Nga këndvështrimi i komunitetit serb, çështja e pjesëmarrjes në regjistrim ndikohet nga një sërë faktorësh të ndryshëm, gjendja e sigurisë, ruajtja e të drejtave të garantuara dhe nevoja për të përcaktuar numrin e përgjithshëm të serbëve që jetojnë në Kosovë, dhe mungesës së konsensusit në nivel komuniteti rreth kësaj teme”, jan gjetjet kryesore të nxjerra nga hulumtimi.

Bazuar në hulumtimin, rekomandohet ndër të tjera nevoja e realizimit të një fushate për informim publik për regjistrimin e popullsisë në gjuhën serbe, përcaktimi i së drejtës së personave të zhvendosur për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në komisionet e regjistrimit dhe një përkthim adekuat i materialit shoqërues të regjistrimit.

Hulumtimi është publikuar në serbisht, shqip dhe anglisht.

Publikimi është krijuar si pjesë e projektit OPEN, i cili zbatohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në bashkëpunim me OJQ AKTIV dhe Qendrën për të Drejtat e Komuniteteve të Pakicave (QDKP). Pikëpamjet e shprehura në këtë botim janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e KFOS.